Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kaliforni, ku një adoleshent 16-vjeçar, Adam Raine, i ka dhënë fund jetës së tij.
Prindërit e tij kanë ngritur një padi kundër kompanisë OpenAI, duke pretenduar se platforma e inteligjencës artificiale ChatGPT ka luajtur një rol aktiv në vetëvrasjen e djalit të tyre.
Në një intervistë për programin TODAY të NBC News, pas vdekjes së Adamit, prindërit zbuluan se ai kishte pasur dhjetëra biseda me ChatGPT-në, përfshirë diskutime të detajuara mbi mënyrat për të kryer vetëvrasje.
Adam e kishte përdorur ChatGPT-në për të marrë ndihmë në mësime dhe si një mjet për të përballuar vetminë. Por me kalimin e kohës, thonë prindërit, bisedat kishin marrë një kthesë të rrezikshme, duke u përqendruar te temat depresive dhe vetëvrasja. ChatGPT, sipas padisë, nuk e kishte ndaluar bisedën dhe nuk kishte ndërhyrë, pavarësisht se Adam kishte shprehur qartë qëllimet e tij.
Familja Raine ka ngritur një padi në Gjykatën e Lartë të San Franciskos ndaj OpenAI dhe drejtorit të saj, Sam Altman. Në dokumentet ligjore, ata pretendojnë se kompania ka dështuar të vendosë masa mbrojtëse efektive për përdoruesit e mitur dhe se platforma kishte ofruar informacion potencialisht të rrezikshëm që ndikoi drejtpërdrejt në vendimin fatal të djalit të tyre.
Babai i Adamit, Matt Raine, u shpreh “ai do të ishte ende me ne po të mos ishte për ChatGPT-në. Jam 100 për qind i bindur për këtë”.
Sipas tij, platforma nuk i kishte ofruar asnjë ndihmë reale psikologjike dhe nuk kishte orientuar djalin drejt ndihmës profesionale, përkundrazi, kishte lehtësuar procesin.
Në një deklaratë për mediat, OpenAI tha se është thellësisht i tronditur nga ngjarja dhe shpreh keqardhje për humbjen tragjike.
Kompania shton se ChatGPT përmban disa mekanizma sigurie, si sugjerimi për të kontaktuar linjat e ndihmës, por pranon se ato mund të mos jenë gjithmonë të mjaftueshme në raste të rënda emocionale