Janë bërë të ditur pesë klubet që do të garojnë për çmimin prestigjioz “Klubi i Vitit për Meshkuj 2026”, një nga kategoritë e rëndësishme të ceremonisë së organizuar nga France Football.
Në listën e të nominuarve janë Arsenali, Bayern Munich, Bodo/Glimt, Flamengo dhe Paris Saint-Germain, skuadra që lanë gjurmë gjatë sezonit të kaluar, secila me paraqitje dhe rezultate të veçanta.
Arsenali riktheu titullin e Ligës Premier në vitrinën e klubit pas një pritjeje prej 22 vitesh. Skuadra londineze ishte shumë pranë edhe triumfit në Ligën e Kampionëve, por në finale u mposht nga PSG-ja pas ekzekutimit të penalltive.
Bayern Munich pati një sezon të jashtëzakonshëm në Gjermani nën drejtimin e Vincent Kompany. Bavarezët humbën vetëm një ndeshje në Bundesligë dhe dhuruan disa përballje spektakolare në Evropë, përfshirë sfidat ndaj PSG-së, Real Madridit dhe Atalantës.
Surprizën më të madhe e përfaqëson Bodo/Glimt. Klubi norvegjez befasoi Evropën duke triumfuar ndaj emrave të mëdhenj si Atletico Madrid, Manchester City dhe Inter, duke siguruar një vend në fazën e eliminimit direkt.
Në anën tjetër, Flamengo pati një sezon të suksesshëm në Amerikën e Jugut, duke fituar dy trofe të rëndësishëm nën drejtimin e Filipe Luis, përfshirë Copa Libertadores dhe kampionatin brazilian.
Në garë është edhe Paris Saint-Germain. Kampionët francezë dominuan në Ligue 1 dhe arritën suksesin më të madh në Evropë, duke fituar Ligën e Kampionëve pas fitores ndaj Arsenalit në finale.
Fituesi i çmimit do të mësohet më 26 tetor 2026, gjatë ceremonisë së “Ballon d’Or”, e cila do të mbahet në Londër të Anglisë.





