9.4 C
Pristina
Monday, February 9, 2026

Nga Korça në Francë, 45 thesare të artit shqiptar ekspozohen në zemër të Europës

Shqipëria dhe trashëgimia e saj kulturore do të jenë në qendër të jetës artistike të qytetit Chambéry në Francë gjatë vitit 2026. Falë partneritetit të krijuar që prej vitit 2022 mes qyteteve të Chambéry-së dhe Korçës, një program i gjerë kulturor do t’i kushtohet arteve, muzikës dhe letërsisë shqiptare.

Lajmi është bërë publik nga faqja zyrtare e bashkisë së Chambéry-së, e cila njofton se një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij programi do të jetë ekspozita “Ikona të Shqipërisë”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga muaji maj deri në nëntor në Muzeun e Arteve të Bukura të Chambéry-së.

Në kuadër të saj do të ekspozohen 45 vepra të rëndësishme të artit shqiptar, që përfaqësojnë trashëgiminë kombëtare nga shekulli XIV deri në shekullin XX. Veprat vijnë nga fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës dhe përbëjnë një përzgjedhje të rrallë ikonografike dhe artistike.

Përveç ekspozitës, programi kulturor përfshin një sërë aktivitetesh të tjera, si konferenca në kuadër të Muajit të Evropës, pjesëmarrjen e partnerëve shqiptarë në Tregun e Kontinenteve, si dhe praninë e artistëve dhe grupeve folklorike nga Korça në Festivalin e Kulturave Botërore. Gjithashtu janë parashikuar projekte të përbashkëta krijimi artistik dhe teatral, që do të bashkojnë të rinj dhe profesionistë nga të dy vendet.

Lidhja mes Korçës dhe Francës është e hershme dhe e thellë. E njohur si “Parisi i Vogël” për traditën e saj frankofone, Korça ka qenë historikisht një qendër e rëndësishme kulturore, arsimore dhe arkitekturore, si dhe një vatër e rëndësishme e zgjimit kombëtar shqiptar.

Në periudhën mes dy luftërave botërore, Liceu Francez i Korçës ishte djepi i elitave intelektuale dhe kulturore shqiptare. Kjo trashëgimi pritet të ringjallet me hapjen e afërt të liceut të ri franko-shqiptar në Korçë, një projekt i përbashkët mes Shqipërisë dhe Francës, i orientuar drejt arsimit, shkencës dhe së ardhmes.

Ky bashkëpunim kulturor shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e artit dhe identitetit shqiptar në arenën evropiane.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA