Iftuar special në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Salsano Rapi ka qenë artisti i mirënjohur, Noizy. Gjatë intervistës, ai ka folur për projektet e tij më të fundit muzikore, jetën personale dhe rrugëtimin e gjatë në skenën shqiptare. Me stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe energjinë karakteristike, Noizy ka ndarë edhe momente të veçanta nga karriera, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe planet që ka për të ardhmen, duke sjellë një bisedë të sinqertë dhe plot dinamizëm me dy moderatorët.
Kohët e fundit, ai ka realizuar edhe “Troubleshooters”, një film aksion, i cili pati një sukses ndërkombëtar. A ka filluar që aktrimi të jetë profesioni i tij i preferuar?
“Me thënë të drejtën, ëndrra ime e parë përpara se të bëhesha muzikant, ka qenë se e mendoja një ëndërr të parealizueshme, thjesht se kanë qenë ato gjërat që nuk dije çfarë të mendoje përpara gjumit dhe mendoje veten si aktor. Kur të kthehem në Shqipëri do bëhem aktor dhe do jem më i miri”.
Gjithmonë me mendimin ‘kur të kthehem në Shqipëri’, Noizy u shpreh se gjithmonë e ka ëndërruar ta zhvillojë karrierën e tij në atdhe.
“Kur të kthehem në Shqipëri. Asnjëherë nuk e kam pasur në mendje të jetoja diku. Aq shumë më pati vrarë ai fakti, që thashë shparë që ma vodhën fëmijërinë, dhe përherë unë isha ai fëmija me peng në zemër. E thoja kur të kthehem në Shqipëri ‘do bëj këtë, do bëj këtë, do bëj atë’ . Ishte aktrimi, por muzika ishte degë e artit”.
A ka për të ndodhur ndonjëherë që aktrimin ta ketë përpara muzikës?
“Nëse unë do vendos që mos ndalem, të rri larg ekraneve, besoj ajo do ndodhi”.
Noizy zbuloi se së shpejti do të realizojë një film të ri titulluar “The Blood Money” të zhanrit dramë dhe aksion.
“Skenaristi është shqiptaro-gjerman. Është Enkelejdi, është super talent për dramat. Filmat e tij kanë arritur super sukses në Gjermani. Është dramë dhe aksion, por nuk ka armë. Ka më shumë boks. Historia e dikujt që u bë ‘street fighter’ që jam unë. Nis filmi dhe unë jam në burg. Kuptohet që në burg nuk jam për fajin tim. Historia ime bëhet automatikisht se unë kam qenë ‘street fighter’ në Angli. Kam qenë pjesë e kësaj jete, por nuk është plotësisht historia e jetës sime”.