Para katër muajsh ka filluar vendosja e pajisjeve për matjen e zhurmës në hapësirat e gastronomisë, derisa projekti i komunës së Prishtinës ka filluar të zbatohet nga 1 gushti.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, tha se deri më tani rreth 380 lokale të gastronomisë e kanë vendosur këtë pajisje.
“Deri më tani, rreth 380 lokale të gastronomisë janë bërë pjesë e kësaj rregulle. Dhe kanë vendosur akustikat. Është diçka e re, ne kemi qenë që e kemi propozuar këtë projekt, i cili ka shumë të mira”, tha Vranica.
Për vonesën në zbatimin e këtij projekti, ka arsyetim.
“Kemi pasë problemeve me vendosjen e sensorëve në fillim. Problemi ka qenë te kompania e cila ka fitu tenderin për vendosjen e tyre. Megjithatë, pas shumë takimeve që kemi pasur me Komunën e Prishtinës, jemi dakorduar që zbatimi të fillojë nga 1 gusht, i cili ka filluar nga dje”, tha Vranica.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha se nuk do të mungojnë as gjobat për ata që nuk e respektojnë këtë rregull.
“Nga fillimi i këtij muaji, pra nga tani do të fillojmë me gjobat. Drejtoria e Inspeksionit do të gjobisë ata që bëjnë shkelje dhe njëkohësisht për ata të cilët ende nuk kanë aplikuar për vendosjen e matësve”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.
Në prill të këtij viti, komuna kishte ndarë 180 mijë euro për blerje të sensorëve akustikë për matje të zhurmës në qytet.
Ndryshe, bizneset në rast të mosvendosjes së këtyre pajisjeve mund të gjobiten deri në 5 mijë euro. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë: