Nesho: Ideja e Ramës për konferencën ndërkombëtare është e rrezikshme

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, krition ashpër kryeministrin Edi Rama në lidhje me idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën, duke thënë se është shumë e rrezikshme pasi iu jep serbëve mundësinë për të diskutuar çështjet historike tashmë të mbyllura më 1999 dhe 2008.

Në një intervistë për KosovaPress, Nesho thotë se Rama nuk duhet të kishte propozuar as draft për Asociacionin ndërsa komenton edhe masat ndëshkuese ndaj Kosoves të vëna nga Bashkimi Evropian.

Prej 26 majit situata në komunat më veriore të Republikës është tensionuar, ndërsa gjatë kësaj kohe kemi parë një rol shumë aktiv të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në zgjidhjen e kësaj situate.

Fillimisht, ai propozoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e më pas propozoi mbylljen e liderëve në një konferencë deri në zgjidhjen e situatës.

Nesho, që shërbeu në OKB në vitet kur po ndodhnin ndryshimet historike në Kosovë 1997-2006, thotë se Rama “nuk ka aftësi intelektuale” të jetë i përfshirë në projekte të tilla dhe se me këto ide nuk po i shërben interesit kombëtar.

Ambasadori shqiptar thotë se Asociacioni është thjesht një tjetër mjet i presidentit serb Aleksandër Vuçiq për të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës.

Ideja tjetër e kryeministrit Edi Rama për një koferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, për ambasadorin Nesho është e papranueshme. Sipas tij, këto janë ide që i shërbejnë vetëm projekteve serbo-ruse për ndryshime të reja gjeopolitike në Ballkan.

Nesho deklaron për KosovaPress se presidenti serb Vuçiq dëshiron që të mbajë në pafundësi situatën nën tension në veri me shpresën që një ditë edhe çështja e Rusisë të rikthehet dhe të bëhen ndryshimet gjeopolitike që ëndërron.

Nesho flet edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se janë të palogjikshme por Evropa “po zgjedh rrugën më të lehtë”.

Ai thotë se Perëndimi nuk është mësuar t’i thonë jo asnjëherë dhe shpesh shqiptarët kanë qenë qesharakë.

Ambasadori shqiptar deklaron se është e paimagjinueshme që Kosova të dalë kundër interesave të saj pas çdo kërkese nga ndërkombëtarët. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë unik për t’i treguar botës së provokimet vijnë nga Serbia.

Nesho thekson se liderët e Kosovës e kanë dëshmuar që qëndrojnë besnik parimeve por nuk duhet të këmbëngulin në pafundësi. Sipas tij, Kurti mund të tregohet më elastik në disa kërkesa, siç është që kryetarët e Komunave të mos shkojnë në objektet e Kuvendeve Komunale.

Së fundmi, një pjesë e opinonit publik në Kosovë si dhe disa eurodeputetë në Parlamentin Evropian kanë adresuar kritika ndaj përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për njënshmëri duke i mbajtur anën Serbisë.

Nesho, me një gjuhë diplomatike, thotë se kritikat e eurodeputetëve “tregojnë që diçka nuk shkon”, mirëpo thotë se më shqetësuese është fakti se disa shtete evropaine i besojnë shumë ish-ministrit të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.

Ndryshe, tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar ndërsa në vazhdimësi janë sulmuar edhe gazetarët e kameramanët shqiptarë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA