Kombëtarja e Kosovës në basketboll i rikthehet parketit të shtunën (nesër), kur edhe do ta zhvillojë stërvitjen e parë në kuadër të misionit për kualifikim në Eurobasket 2025.
Grumbullimi i parë është nesër me fillim nga ora 17:30 në Marigona Rezidencë, kurse nga e diela do të fillohet me dy stërvitje në ditë (nga ora 10:30 dhe 17:30), raporton KosovaPress.
“Dardanët” gjenden në grup së bashku me dy kombëtaret e tjera si ajo e Zvicrës dhe e Danimarkës në raundin e tretë parakualifikues për Eurobasket 2025.
Vetëm vendi i parë kualifikohet tutje nga ky grup.
Faza e parë e përgatitjeve zhvillohet në Prishtinë, kurse më pas basketbollistët e udhëhequr nga Rami Hadar do të zhvendosen në Prizren, dhe edhe do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore me Shqipërinë për tu përgatitur sa më mirë për garat evropiane.
Ndeshja e parë e Kosovës është kundër Zvicrës, e cila zhvillohet më 19 korrik në Prizren. Më 26 korrik Kosova është mysafire e Danimarikës ndërsa tri ditë më vonë luan ndaj Zvicrës.
Ndeshja e fundit është ndaj Danimarkës më 5 gusht në Prizren.