Kabineti qeveritar i qeverisë “Kurti 3” ka mbajtur sot mbledhjen e parë për këtë vit.
Në kuadër të kësaj mbledhje është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, një marrëveshje mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se marrëveshja ka vlerë totale prej 90.3 milionë euro.
“Periudha e kthimit është 12 vjet, me normë interesi zero për qind. Duke pasur parasysh rëndësinë e marrëveshjes dhe kushtet e favorshme financiare, ju ftoj ta miratojmë për ta proceduar në Kuvend për ratifikim,” tha Murati.
Marrëveshja tashmë pritet të shqyrtohet dhe ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, ku e premtja 13 shkurt, është data e fundit për ratifikim.
Përveç kësaj, Qeveria ka miratuar dhe proceduar tutje në Kuvend edhe disa marrëveshje të tjera me rëndësi strategjike:
-Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje;
-Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” mes Kosovës dhe BE-së;
-Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për Projektin KOMPAS – “Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë”, mes Ministrisë së Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim;
-Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”, gjithashtu mes Ministrisë së Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është të sigurohet financimi strategjik për reforma fiskale, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë dhe arsimin e hershëm, duke fuqizuar kapacitetet institucionale dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.






