Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar sot marrëveshje trilaterale në fushën e mbrojtjes.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në Shqipëri nga tre ministrat e mbrojtjes, Pirro Vengu, Ejup Maqedonci e Ivan Anushiq.
Kjo marrëveshje do të jetë e shtrirë në katër pika: Promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes; Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike dhe Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin, ne u tregojmë qe jemi së bashku dhe nuk do te lejojmë qe askush të destabilizoi rajonin. Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshin tjetër, veçanërisht në aspektin e industrisë së mbrojtjes dhe shkëmbimit të personelit në aspektin e trajnimit e po ashtu mbështetjen e pa rezervë të dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, tha Maqedonci.
Ai shtoi se ky angazhim i përbashkët mundëson edhe hap rrugë që edhe vendet tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe, stabilitet e më shumë siguri.
“Falënderoj ministrin e Shqipërisë dhe Kroacisë për ketë nisme, vlerësoj se kjo marrëveshje është e para trilaterale ne rajon. Edhe njëherë, kjo marrëveshje është Deklaratës, është mesazh për çdo vend i cili ka qellim destabilizimin, ne jemi bashke dhe presim qe te bashkohen edhe vende te tjera”, ka theksuar Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu u shpreh se për një kohë të shkurtër kanë arritur të bëjnë shumë gjëra për tre shtetet.
“Falënderoj për çdo gjë që kemi bërë deri tani së bashku dhe një kohë shumë të shkurtër kemi arritur të bëjmë shumë gjëra për tre shtetet tona. Shpresoj që deklarata jonë të zgjerohet edhe më shumë dhe të kemi rezultate”, tha Vengu./TELEGRAFI