Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka nisur për herë të parë procesi i skriningut neonatal për foshnjat e porsalindura, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Klinikën e Neonatologjisë, me qëllim zbulimin e hershëm të sëmundjeve të lindura metabolike dhe gjenetike.
Skriningu neonatal përfshin marrjen e disa pikave të gjakut nga foshnja, zakonisht nga thembra, menjëherë pas lindjes. Përmes këtij testimi mundësohet identifikimi i hershëm i sëmundjeve, para shfaqjes së simptomave, duke mundësuar trajtim të menjëhershëm dhe parandalimin e komplikimeve serioze apo dëmtimeve të përhershme.
Fillimi i këtij procesi në Repartin e Neonatologjisë është përcjellë nga drejtori ekzekutiv i spitalit, Gëzim Berisha, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit mjekësor, Dr. Qenan Çabra, të cilët janë njoftuar nga shefi i shërbimit të Neonatologjisë, Dr. Agim Sherifi, se mostrat e para tashmë janë marrë nga disa foshnje dhe se zbatimi i projektit ka nisur me sukses.
Menaxhmenti i spitalit ka falënderuar ShSKUK-në dhe Klinikën e Neonatologjisë për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, përfshirë edhe furnizimin me reagensët e nevojshëm.
Sipas drejtuesve të institucionit, ky zhvillim përbën një arritje të rëndësishme në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për të porsalindurit në rajonin e Mitrovicës.






