Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Pa lule, por me pankarta në duar gra e burra marshuan për të trokitur në dyer të Qeverisë. Megjithatë, aktivistë të Kolektivit “Marshojmë s’festojmë”, janë penguar nga Policia pas tentimit për t’iu afruar ndërtesës.
Por, porosia u dha.
Protestuesit e nisën marshin nga sheshi Zahir Pajaziti, drejt ndërtesës së Qeverisë duke bërë thirrje për drejtësi për gratë e vrara në Kosovë dhe për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës në familje.
Afër dyerve të institucioneve në shenjë proteste u hodh ngjyrë e kuqe duke shprehur pakënaqësinë për mostrajtim të duhur të rasteve që kanë të bëjnë me gratë.
Nga protesta iu dërguan mesazhe edhe deputetëve të cilët po e kundërshtojnë projektligjin për shëndetin riprodhues, i cili nuk është miratuar ende.
Anita Mjeku, po ashtu, përmendi rastet e grave të vrara, por edhe kthimin në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, nga partneri i saj.
Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave.
Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, në raportin e publikuar këtë javë “Gratë, Biznesi dhe Ligji”, Kosova ka rënë nga vendi i 37-të në vendin 39.
Protestuesit në këtë ditë nuk i harruan as qytetarët e Palestinës, të cilët po vuajnë pasojat e sulmeve nga Izraeli.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: