Në Ditën e Evropës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, duke theksuar se ato janë të padrejta dhe përbëjnë pengesë për një të ardhme të përbashkët evropiane, raporton Gazeta Sinjali.
Në një reagim me rastin e 9 Majit, Osmani tha se kjo ditë për popullin e Kosovës përfaqëson përkushtimin e palëkundur ndaj projektit evropian, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur vendi.
“Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive gjatë këtij rrugëtimi”, deklaroi presidentja.
Ajo kërkoi nga BE që, me një qasje të drejtë dhe të balancuar, të largojë sanksionet ndaj Kosovës dhe të veprojë kundër politikave destabilizuese të Serbisë, duke përmendur edhe faktin se presidenti serb Vuçiq zgjodhi të shënojë Ditën e Evropës në Moskë, te presidenti rus Vladimir Putin.
“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, theksoi Osmani.
Presidentja përfundoi reagimin e saj me një thirrje për fundin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ndaljen e tolerimit të politikave proruse të Serbisë.
“Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, shkroi Osmani.