Inteligjenca artificiale po shihet si një prej teknologjive më revolucionare të shekullit 21, por krahas përfitimeve të shumta që sjell në fusha si shëndetësia, arsimi apo transporti, po rritet edhe shqetësimi për ndikimin e saj negativ në mjedis.
Shtetet me ekonomi të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër vendet që po investojnë më shumë në zhvillimin e inteligjencës artificiale, por pikërisht në këto vende janë vërejtur edhe efektet më të mëdha mjedisore që lidhen me këtë teknologji. Zhvillimi dhe përdorimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale kërkon sasi të jashtëzakonshme të energjisë dhe resurseve natyrore, gjë që mund të përshpejtojë ndjeshëm degradimin e natyrës nëse nuk ndërmerren masa të menaxhimit të duhur.
Një prej problemeve kryesore që lidhen me ndikimin negativ të inteligjencës artificiale në mjedis është konsumi i lartë i energjisë elektrike nga qendrat e mëdha të të dhënave. Modelet e mëdha gjuhësore dhe sistemet komplekse të përpunimit të të dhënave kërkojnë shumë përpunim kompjuterik, që do të thotë më shumë serverë, më shumë ftohje dhe rrjedhimisht më shumë energji. Në shumicën e rasteve, kjo energji vjen nga burime jo të ripërtëritshme, siç janë karburantet fosile. Sipas një raporti të Universitetit të Massachusetts Amherst, vetëm trajnimi i një modeli të madh të inteligjencës artificiale mund të lëshojë mbi 280 mijë kilogramë dioksid karboni, që është ekuivalente me emetimet e pesë makinave që udhëtojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Nëse inteligjenca artificiale zhvillohet pa standarde të qarta për mbrojtjen e mjedisit, ajo mund të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme në ngrohjen globale.
Një tjetër aspekt shqetësues është përdorimi i ujit për ftohjen e qendrave të të dhënave. Në vendet me popullsi të madhe dhe klimë të ngrohtë, si India apo pjesë të Kalifornisë në SHBA, ku tashmë mungesa e ujit është një sfidë serioze, përdorimi i tij për teknologji mund të përkeqësojë gjendjen. Një studim i publikuar në vitin 2023 tregoi se një kërkim i vetëm me inteligjencë artificiale mund të konsumojë deri në 500 ml ujë për shkak të ftohjes së pajisjeve që përpunojnë informacionin. Në përmasa globale, kjo përkthehet në miliona litra ujë në ditë, duke rrezikuar ekosistemet ujore dhe duke ulur sasinë e ujit të pijshëm të disponueshëm për komunitetet lokale.
Problemet mjedisore nuk ndalen me konsumimin e energjisë dhe ujit. Prodhimi i pajisjeve të nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale, siç janë procesorët dhe njësitë grafike (GPU), kërkon nxjerrjen e metaleve të rralla dhe mineraleve të çmuara nga toka. Këto minerale shpesh nxirren në rajone të pasura me burime natyrore por të varfra në aspektin ekonomik, ku mungojnë standardet për mbrojtjen e natyrës dhe të drejtave të punëtorëve. Minierat ilegale, ndotja e lumenjve dhe shkatërrimi i pyjeve janë vetëm disa nga pasojat që lidhen me këtë proces. Për më tepër, e gjithë kjo industri krijon një zinxhir të gjatë të ndotjes që shtrihet nga nxjerrja e materialeve, deri te shpërndarja dhe funksionimi i pajisjeve përfundimtare.
Institucionet ndërkombëtare dhe shtetet duhet të bashkëpunojnë për të vendosur standarde të përbashkëta që e detyrojnë industrinë teknologjike të zhvillojë zgjidhje që nuk dëmtojnë natyrën. Në fund të fundit, e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk do të vlerësohet vetëm nga ajo çfarë arrin të bëjë për njerëzimin, por edhe nga mënyra se si respekton botën natyrore në të cilën zhvillohet.