Fondi Sovran, që vazhdon të jetë ende një projekt-ligj, parashihet të jetë institucioni që mes tjerash do të marrë përsipër menaxhimin e aseteve shtetërore.
Ndër to është Ndërmarrjen “Trepça”, e cila që nga viti 1930 ishte shtyllë e ekonomisë së Kosovës. Para-lufte, referuar të dhënave historike “Trepça” numëronte më shumë se 20 mijë punëtorë, ndërsa sot ajo ka mbi një mijë.
Nga viti 2019 deri në vitin 2021 “Trepça” me pajisjet e vjetëruara, nuk ishte efikase në përmbushjen e qëllimeve të saj, pasi referuar raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në këtë periudhë ajo operoi me 600 mijë euro humbje mesatare mujore.
Edhe Korporata Energjetike e Kosovës, mundë të jetë pjesë e këtij fondi. KEK, që sot numëron mbi tre mijë punëtorë, nga kryeministri Kurti vlerësohet lartë për punën e bërë, duke gjeneruar fitim. Megjithatë, ish-drejtori i Korporatës gjendet në paraburgim pasi dyshohet për “Keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Telekomi i Kosovës, nga viti 2008 deri në atë 2015 ka qenë kompani që i sillte të ardhura shtetit. Mirëpo, pas kontratave të dyshimta, kjo filloi të shënoj rezultate të dobëta. Edhe për këtë ndërmarrje kryeministri Kurti ka deklaruar se po shënon përparim në aspektin e të hyrave. Megjithatë së fundmi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të kompanisë Agron Mustafa, me dyshimet për “Lidhje të Kontratës së Dëmshme” në cilësin e kryeshefit të kompanisë.
Ndërkaq, Ndërmarrje Publike të tjera që priten t’i bashkohen Fondit Sovran janë Posta e Kosovës, TrainKos dhe InfraKosi.