Ndahen 50 mijë euro për familjen e rreshterit të vrarë

Përgatiti: Arton Hamiti

Me një minutë heshtje në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë i vrarë nga grupi terrorist serb, filloi mbledhja e Qeverisë të mërkurën.

Andaj, edhe fjalimin hyrës kryeministri Albin Kurti ia dedikoi ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Kurti kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët, për menaxhim të kufirit me Serbinë.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar”, tha Kurti.

Për ta mbështetur familjen e policit të vrarë, Qeveria ndau 50 mijë euro.

“Ne si shtet do të jemi gjithmonë krah familjes që na dha një dëshmor, andaj për ta mbështetur familjen e tij, propozoj të aprovohet ndarja e shumës buxhetore në vlerë prej 50 mijë eurove”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati

Pavarësisht pse Qeveria ndau këto mjete financiare për rreshterin e vrarë, kolegët e tij pjesëtarë të Policisë, ka 9 muaj që nuk i marrin shtesat për rrezikshmëri në punë. E për ekzekutimin e pagesave, ministri i Financave as nuk dha ndonjë datë.

“Tani jemi në proces të dakordimit dhe në proces të definimit apo përcaktimit të të gjitha këtyre shtesave, por edhe të kompetencave apo përgjegjësive që parashihen dhe plotësohen me ligj. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave, në mënyrë që të sigurohemi që çdo gjë vjen në vendin e vet ashtu siç e parasheh ligji. Një gjë dua t’i siguroj qytetarët se shteti gjithmonë do t’iu qëndrojë pranë të gjithë atyre që shërbejnë për shtetin”, tha Murati.

Paraprakisht në mbledhjen e 162-të, Qeveria ndau 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, 6 milionë euro shtesë për projektin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Podujevë dhe 1 milion euro për kompensim të dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna.

Mes tjerash, Qeveria mori vendim për rindërtimin dhe rinovimin e shtëpive individuale që janë dëmtuar gjatë viteve 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA