Napoli dhe Milani do të përballen sonte në gjysmëfinalen e parë të Superkupës Italiane, duel që premton spektakël mes dy prej klubeve më të mëdha të futbollit italian.
Takimi do të luhet nga ora 20:00, ndërsa vëmendja e tifozëve do të jetë e përqendruar te përplasja mes kampionit aktual të Italisë dhe njërit prej klubeve më trofeshëm në histori. Superkupa përfaqëson trofeun e parë të sezonit dhe një mundësi të artë për të dhënë sinjale force që në fillim të vitit futbollistik.
Napoli hyn në këtë përballje me synimin për të vazhduar formën pozitive dhe për të konfirmuar statusin e tij si një nga skuadrat më të forta në Serie A. Me një stil loje ofensiv dhe individualitete cilësore, napolitanët kërkojnë ta nisin vitin me një trofe të rëndësishëm.
Në anën tjetër, Milani e sheh Superkupën si një shans për rikthim te lavdia dhe për të rritur besimin e skuadrës. “Rossonerët” synojnë të shfrytëzojnë përvojën në ndeshje të mëdha dhe mentalitetin fitues për të dalë triumfues.
Kujtojmë se Super Kupa Italiane do të zhvillohet në Riyad dhe sonte luajnë në stadiumin ‘King Saud University Stadium’, ndërkohë që fituesi i sfidës së sotme do të presë në finale fituesin e duelit të nesërm Bologna – Inter. /ATVLIVE.TV






