Eliminimi i hershëm i Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 mund t’i kushtojë shtrenjtë Julian Nagelsmannit, i cili është shumë pranë largimit nga posti i përzgjedhësit të “Pancerëve”.
Sipas asaj që raporton Bild, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) i ka kërkuar trajnerit 38-vjeçar të shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes, edhe pse kontrata e tij është e vlefshme edhe për dy vite të tjera.
Pas disfatës ndaj Paraguait në fazën e 1/8 së finales, krerët e DFB-së zhvilluan një takim maratonë që zgjati rreth tri orë me Nagelsmannin. Në takim morën pjesë presidenti Bernd Neuendorf, Hans-Joachim Watzke, Rudi Völler dhe Andreas Rettig, të cilët analizuan dështimin e kombëtares dhe diskutuan të ardhmen e bankinës gjermane.
Raporti mes palëve duket se ka hyrë në një fazë vendimtare. Federata i ka lënë kohë trajnerit që të marrë një vendim për të ardhmen e tij, duke i hapur rrugën një largimi me marrëveshje.
Në rast se Nagelsmann vendos të mos japë dorëheqjen, DFB ka në dispozicion mundësinë për të ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme. Megjithatë, një vendim i tillë do t’i kushtonte federatës rreth 7 milionë euro, shumë që parashikohet si dëmshpërblim për prishjen e parakohshme të kontratës.
Ndërkohë, në Gjermani kanë nisur tashmë spekulimet për pasuesin e mundshëm të Nagelsmannit. Emri që po përmendet më së shumti është ai i Jürgen Klopp, i cili konsiderohet kandidati ideal për të marrë drejtimin e kombëtares dhe për të nisur një epokë të re pas zhgënjimit në Botëror.
Sipas mediave gjermane, vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e Nagelsmannit pritet të merret në ditët e para të javës së ardhshme.





