7.2 C
Pristina
Tuesday, February 10, 2026

Nagavci reagon pas rastit në shkollën “Pavarësia”: Dhuna në shkolla është e papranueshme

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas rastit të dhunës të ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.

Sipas Nagavcit, shkollat duhet të jenë hapësira të sigurta, ku mbizotërojnë respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.

Ajo theksoi se rasti i fundit, sikurse edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon se dhuna në shkolla nuk prek vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, stafin tjetër, prindërit dhe të gjithë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Sipas saj, asnjë rast dhune nuk duhet të anashkalohet apo relativizohet.

Ministrja në detyrë nënvizoi se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve nuk i takon vetëm shkollës, por është një proces i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe institucionit arsimor. Vetëm përmes komunikimit të hapur, mirëkuptimit dhe angazhimit të ndërsjellë, tha ajo, mund të krijohet një mjedis i sigurt, mbështetës dhe motivues për nxënësit.

Nagavci rikujtoi se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla, ndërsa shkollat janë të obliguara që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA). Ajo theksoi se mosraportimi i rasteve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale.

Në këtë kontekst, ministrja vuri theksin te roli i Drejtorive Komunale të Arsimit, të cilat, sipas saj, mbajnë peshën kryesore të llogaridhënies. Ajo theksoi se Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka obligim ligjor të sigurojë zbatimin e rregullores për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme, e miratuar që nga viti 2016, si dhe të akteve të Ministrisë së Arsimit. Çdo neglizhencë, vonesë apo mosveprim, sipas Nagavcit, nënkupton dështim institucional dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat në shkolla.

Pas raportimeve mediatike për rastin në shkollën “Pavarësia”, ministrja bëri të ditur se Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë duke dalë në terren dhe duke realizuar inspektim. Ajo shtoi se, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përkatëse, të gjitha gjetjet që bien në kompetencë të Inspektoratit do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.

Në fund, Nagavci theksoi se parandalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. Ajo bëri thirrje që Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, prindërit dhe të gjithë akterët përgjegjës të veprojnë me përgjegjësi të plotë, duke nënvizuar se siguria në shkolla nuk është opsion, por obligim.

“Vetëm përmes reagimit të menjëhershëm dhe zbatimit rigoroz të ligjit mund të garantojmë mjedise shkollore të sigurta dhe dinjitoze për të gjithë”, theksoi ministrja në detyrë e Arsimit, duke shtuar se Ministria mbetet e përkushtuar për parandalimin e dhunës dhe forcimin e mekanizmave që promovojnë komunikimin, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA