Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se janë në proces të rekrutimit të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të të gjitha shkollave në kryeqytet.
Krahas rekrutimit të drejtorëve të rinj, prioritet thotë se i kanë dhënë edhe institucioneve arsimore. Në shkollat e Prishtinës, Musmurati thotë se nuk kanë lënë asnjë pa psikolog, ndërsa tek çerdhet synojnë t’i vendosin kamerat e sigurisë.
Arsyeja e kamerave sipas Musmuratit nuk është rrezikimi i privatësisë por për palë të jashtme.
“Ka pasur çerdhe të tilla, ne i kemi tetë çerdhe publike. Çerdhja ‘Fatosat’ nuk ka pasur fare kamera të sigurisë, tash me kontratën e re po e furnizojmë. Ka pasur edh disa çerdhe që gjysma e kamerave kanë punuar e gjysma tjetër nuk kanë punuar, por tashmë me kontratën e re jemi duke i sanuar të gjitha këto probleme që të gjitha çerdhet të kenë mbikëqyrjen e duhur. Prapë po them, kamerat e sigurisë duhet të trajtohen si kamera të sigurisë për palë të jashtme që mund ta vandalizojnë çerdhen ose diçka të tillë, dhe në asnjë formë kamerat nuk janë në klasë apo në vendet ku munden me rreziku privatësinë e fëmijëve ose mësimdhënësve”, thotë Musmurati.
E sa i përket rekrutimit të drejtorëve nëpër shkolla, e para e Arsimit në Prishtinë, thotë se po bëhet në bashkëpunim me Ambasadën britanike. Thotë se është ndër proceset më transparente në Prishtinë.
“Kemi filluar me procesin e ri të rekrutimit të drejtorëve. I kemi rekrutuar afër 10 pozita, janë edhe 30 pozita tjera të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. I kemi bërë në bashkëpunim me Ambasadën britanike për herë të parë në Komunën e Prishtinës, dhe me të vërtetë ka qenë një ndër proceset më transparente deri më tani që e kemi organizuar dhe për të cilën jam krenare deri më tani”, thotë ajo.
Musmurati thotë se kanë arritur që në të gjitha shkollat e Prishtinës të punësojnë nga një psikolog, duke mos e lënë asnjë pa të.
“Më vjen mirë që asnjë shkollë e Prishtinës nuk është pa psikologë dhe kjo është për herë të parë dhe është një arritur shumë e madhe. Jemi duke punuar me Universitetin e Prishtinës departamentin e Psikologjisë me bo matje empirike për rezultatin që këto punësime e kanë pasur. Unë mendoj që kemi nevojë me pas një reflektim në nivel nacional dhe me rishiku detyrat që i kanë me udhëzim administrativ psikologët e shkollave. Mendoj që ka vend me bo një punë më të mirë në përshkrimin e detyrave të punës për ta”, u shpreh ajo, teksa synojnë që të krijojnë edhe një sistem digjital ku bëhet raportimi i rasteve në mënyrë anonime.
“Po mundohemi që ta krijojmë një sistem digjital ku raportimi i rasteve të bëhet në mënyrë anonime që fëmijët të mos e ndiejnë presionin e raportimit, qoftë ndoshta krejt banal deri tek diçka që më e madhe dhe që e përfshin psikologun e shkollës”, u shpreh tutje ajo.