Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur nisjen e një iniciative për renovimin e këndeve të lojërave në lagje të ndryshme të kryeqytetit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë lodrat e dëmtuara.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Musmurati tha se, si shumë prindër të Prishtinës, edhe ajo kalon kohë me djalin e saj, Tomorin, në parqet e qytetit, ku ka vërejtur se një numër i madh i lodrave janë të dëmtuara dhe kanë nevojë për riparim.
“Prindër të dashur të Prishtinës, e kemi marrë një iniciativë me i renovu këndet e lojërave nëpër lagje të ndryshme. Sikur shumë prindër të Prishtinës, edhe unë mundohem çdo ditë me Tomorin në parqe të ndryshme të qytetit. Kudo që po shkojmë bashkë me djalin, po e shohim që ka lojëra të prishura që kanë nevojë për riparim”, u shpreh ajo.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që, nëse hasin në lodra të dëmtuara, të dërgojnë një email në adresën [email protected], duke bashkëngjitur një fotografi, lokacionin e këndit të lojërave dhe një përshkrim të shkurtër të dëmtimit.
Musmurati tha se ajo dhe djali i saj e kanë nisur këtë iniciativë duke raportuar një lodër të dëmtuar në lagjen Ulpiana, ndërsa ftoi qytetarët që ta vazhdojnë aksionin edhe në lagjet e tjera.
“Unë e Tomori po e fillojmë me një foto nga kjo lojë e prishur në Ulpianë, e ju vazhdojeni nëpër lagjet e tjera. Për një fëmijë, një lodër e dëmtuar është një lojë e munguar. E për mua, si nënë e si nënkryetare, është një përgjegjësi”, deklaroi ajo.





