Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se “jemi në territor të pa shkelur”, kur u pyet sa i përket konstitutimit të kuvendit, duke shtuar se mbetet të shihet se si do të veprohet më tej.
Sipas Muratit, kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, pritet t’i drejtohet Zyrws sw Presidentws për sqarime mbi rrjedhën institucionale që duhet ndjekur, duke qenë se “një situatë e tillë nuk është parashikuar në praktikat e mëparshme”.
Ai theksoi se qëllimi i subjektit të tij është të sigurohet që vendi të ketë institucione funksionale dhe një qeveri të re të dalë nga procesi demokratik.
“Ju ishit dëshmitar të asaj qe ndodhi ditën e djeshme. Pra, për herë të parë Kuvendi në këtë rast si tërësi, megjithëse ne, deputetët tanë votuan pro atij raporti, por, shumica e deputeteve të Kuvendit votuan kundër. Kjo nënkupton refuzim të pranimit të rezultateve të certifikuara nga KQZ. Se si shkohet tutje mbetët të shihet në vazhdim. Kryesuesi i seancës, deputeti Dehari ka paralajmëruar qe do i drejtohet presidentes në lidhje me sqarimet e nevojshme se si të shkohet tutje. Mirëpo, tashmë jemi në territor të pa shkelur sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur më herët. Pra, çka nënkupton kur deputetët, kuvendi, votojnë kundër mandateve të tyre, a i bie kjo që ka dështuar konstituimi i kuvendit dhe nuk mund të vazhdohet tutje, pra duhet të kemi një proces të ri zgjedhor, a i bie kjo se deputetet që kanë votuar kundër tash duhet të tërhiqen dhe të lirojnë vendin për koleget e tyre brenda subjekteve, apo ndonjë zgjidhje tjetër, mbetet të shihet në vijim. Synimi ynë është që të sigurohemi qe vendi ka institucionet e veta dhe sa më parë të ketë një religjitimim përmes një procesi në Kuvend ku do të formohet qeveria e re, Qeveria Kurti, si fitues të zgjedhjeve”, tha Murati.
Po ashtu Murati është pyetur sot se me kënd do ta formojë qeverinë e re, Vetëvendosje.
Ai theksoi se “para se të vijë puna te formimi i qeverisë së re, duhet të zgjidhet ngërçi aktual”.
“Janë procedurat në vijim. Para se të vijmë te votimi i qeverisë, kemi këtë çështjen e raportit, këtë ngërçin që u krijua dje. Në rast se shkohet tutje, mundësohet betimi i deputetëve në një skenar të tillë ku gjendet një mënyrë dhe mundësohet betimi i deputetëve, fillimisht kemi konstituimin e Kuvendit, pra do të jetë vota për kryetarin e kuvendit dhe për kryesinë në tërësi, pastaj kemi mandatin kandidatit për kryeministër nga presidentja dhe tek pastaj është afat i kushtetues 15 ditor që parasheh formimin e qeverisë, tek atëherë mund të flasim për këtë çështje. Ndërkaq, votimi i djeshëm çka paraqet realisht, paraqet vetëm vullnetin e kuvendit si tërësi, të 120 deputetëve se a e pranojnë rezultatin zgjedhor të certifikuar nga KQZ apo jo. Fatkeqësisht dje pamë që dispononi ishte që si në tërësi kuvendi ta refuzojë një gjë të tillë”, ka shtuar Murati.
Murati tha po ashtu se do të vazhdojë të marrë pagën e ministrit derisa të formohet qeveria e re, pasi Kuvendi nuk është konstituar ende zyrtarisht.
Ndërsa ka shtuar se me kalimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, automatikisht edhe kabinetit qeveritar i kalon mandati, derisa ka theksuar se dorëheqja ishte e vetëkuptueshme.
Murati ka shtuar se dorëheqja do të ishte efektive nëse certifikimi i zgjedhjeve do të kryhej para 23 marsit, kur Qeverisë i ka mbaruar mandati.
“Dorëheqja si akt është i konsumuar me vetë përfundimin e mandatit, më 23 mars. Neni 26 i ligjit do të vlente në rastin kur, zgjedhjet u mbanë më 9 shkurt, e KQZ-ja të ishte më efektive në numërimin e votave dhe certifikimi rezultateve të bëhej më 20 mars. Më 20 mars, Qeveria ka qenë në mandat të plotë dhe do të duhej të jepte dorëheqje në atë rast, por pas 23 marsit dorëheqja është e vetëkuptuar…Deri në Qeverinë Kurti 3 do të ketë Qeveri Kurti 2, sepse nuk mund të ketë vakum institucional… Sa i përket pagave, ne pagat po besoj se do të vazhdojmë të marrim si qeveri në detyrë, përderisa e kryejmë këtë funksion, gjithsesi mund të shohim edhe praktikat e kaluara, qe po besoj reflektojnë të njëjtit , ka thënë Murati.
Murati u shpreh se disa prej komuniteteve jo-serbe ishin dje jashtë sallës së Kuvendit “duke diskutuar për koordinim mes tyre”.
“S’ka të bëjë me mungesë të mbështetjes, apo s’ka të bëjë me shpërfaqje të besimit”, u shpreh ai.
Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur nuk ka kaluar të martën ku pritej të konstituohet Kuvendi. Kjo edhe u bë shkak edhe i dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, punimet e së cilës u pezulluan.