Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 20 vjet burgim Murat Dernjanin, i shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit gjatë kohës sa vepronte në Siri dhe Irak. Vendimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Violet Namani Hajra.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe për mbrojtjen e të dëmtuarve. Gjykata ka konstatuar se dëshmitë e paraqitura nga viktimat dhe dëshmitarët ishin të qarta, të ndërlidhura dhe të besueshme.
Sipas aktgjykimit, Dernjani është identifikuar si përgjegjës për akte dhune gjatë kohës sa vepronte në Siri dhe Irak, në kuadër të organizatës terroriste ISIS.
Gjykata ka vërtetuar se veprimet e tij përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kujtojmë se ai ishte dënuar më herët me 5 vjet burg për terrorizëm, në janar të vitit 2019.