Sulmuesi kosovar Muhamet Hyseni do ta vazhdojë karrierën në futbollin rumun, pasi ka kompletuar transferimin te Farul Constanta.
Klubi rumun ka konfirmuar marrëveshjen me skuadrën daneze AC Horsens për transferimin e Hysenit. 25-vjeçari tashmë ka kaluar me sukses edhe testet mjekësore dhe i është bashkuar ekipit, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij.
Hyseni, i lindur në Podujevë, rikthehet në një kampionat të huaj pas një sezoni te Llapi, ku vazhdoi të dëshmojë instinktin e tij për gol.
Në 32 ndeshje me skuadrën podujevase, sulmuesi realizoi 12 gola dhe tri asistime, duke qenë ndër lojtarët më produktivë të ekipit.
Megjithatë, edicioni më i spikatur i Hysenit mbetet sezoni 2023/24, kur ai shpërtheu me 26 gola dhe shtatë asistime në 36 paraqitje, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës.
Në total, Hyseni ka zhvilluar 108 ndeshje në elitën e futbollit kosovar, në të cilat ka shënuar 41 gola dhe ka regjistruar 13 asistime.
Gjatë karrierës së tij, ai ka mbrojtur ngjyrat e Feronikelit 74, Malishevës dhe Llapit, ndërsa ka pasur edhe përvojë në futbollin danez me AC Horsens.
Hyseni është gjithashtu pjesë e Kombëtares së Kosovës. Me fanellën e “Dardanëve” ka regjistruar dy paraqitje, duke shënuar edhe një gol.
Tashmë, sfida e radhës për sulmuesin kosovar është aventura në Rumani, ku do të synojë të vazhdojë formën e tij para portës dhe të lërë gjurmë edhe në futbollin rumun.





