Sot ka filluar vaksinimi në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në vend.
Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE nga qendra kryesore e mjekësisë familjarë në Prishtinë, gazetarja e ATV-së, Sara Shehu, njoftoi se ekipi mjekësor i vaksinimit ka filluar me kohë ofrimin e vaksinave qysh në orët e para të mëngjesit.
“Deri më tani sipas menaxhmentit drejtues të QKMF-së, numri i të interesuarve ka arritur mbi pesëdhjetë. E në vaksinimin kundër gripit sezonal, prioritet janë moshat mbi gjashtëdhjetë e pesë vjet, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët me imunitet të dobët. Ndërkohë, sipas të dhënave të QKMF-së në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare apo njësitë e siç i quajmë ne, në komuna ka filluar vaksinimi me kohë”, tregoi ajo.
Po ashtu, gazetarja thotë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për ATV-në se kanë arritur t’i sigurojnë të gjitha vaksinat përmes UNICEF-it ku numri i tyre shkon mbi 85 mijë vaksina.
Ndërkohë, IKSHPK-ja vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që vaksinimi të kryhet me kohë, në mënyrë që të shmanget edhe gripi sezonal. /atvlive.tv