Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në një përgjigje për ATV-në, ka njoftuar se Valdrin Sahiti e ka dorëzuar pasaportën diplomatike në këtë ministri me 26 prill të këtij viti.
“Z.Sahiti ka dorëzuar pasaportën diplomatike në MPJD, me datë 26.04.2023. Të njëjtit me kërkesë të tij, i është pa vleftësuar pasaporta diplomatike”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
MPJD ka sqaruar se Sahiti ishte pajisur me pasaportën diplomatike në dhjetor të vitit 2020 me vendin të ish ministres Meliza Haradinaj.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se z.Valdrin Sahiti është pajisur me pasaportë diplomatike në dhjetor të vitit 2020, me vendim të ish ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj”, thuhet më tej në përgjigjen e MPJD-së për ATV-në.
MPJD thotë se ende nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga autoritetet turke, lidhur me raportimet e mediave për ndalimin a arrestimin e z. Sahiti në shtetin turk. /atvlive.tv