Shorti i radhës në UEFA Champions League ka vendosur sërish përballë dy gjigantë të futbollit evropian, SL Benfica dhe Real Madrid, vetëm pak javë pasi portugezët shkaktuan një nga surprizat më të mëdha të sezonit duke mposhtur “Los Blancos”.
Fitorja e Benficës ndaj 15-herë kampionëve të Evropës tronditi opinionin sportiv dhe rihapi garën në grup, ndërsa shorti ka dashur që këto dy skuadra të përballen përsëri, këtë herë në një duel direkt eliminimi që premton spektakël dhe tension maksimal.
Në prag të sfidës, trajneri portugez José Mourinho ka dhënë një deklaratë të fortë, duke paralajmëruar për reagimin e madrilenëve:
“Real Madrid? Ne e dimë çfarë u bëmë Mbretërve të Champions League, ata janë të plagosur. Dhe një Mbret i plagosur është i rrezikshëm.”
Deklarata e Mourinhos ka marrë jehonë të madhe në mediat evropiane, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi skuadrën spanjolle, e cila njihet për reagimet e saj të fuqishme në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Evropë.
Nga ana tjetër, Benfica synon të konfirmojë se fitorja e fundit nuk ishte rastësi, ndërsa Real Madrid kërkon “hakmarrje” sportive dhe rikthim të autoritetit në arenën evropiane.
Përballja pritet të jetë një betejë taktike dhe psikologjike, ku historia, krenaria dhe forma momentale do të luajnë rol vendimtar. Tifozët presin një tjetër spektakël në Champions League, këtë herë me një Real të lënduar, por potencialisht më të rrezikshëm se kurrë.






