Mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit dhe mosvotimi i Kodit Civil, janë ndër dështimet më të mëdha të vitit 2023 në sistemin e drejtësisë. Kështu po vlerësojnë avokatët, teksa përmendin edhe sulmet e politikës në drejtim të KGjK-së dhe KPK-së, raporton Ekonomia Online.
Dështimin për ta emëruar Kryeprokurorin e Shtetit, ia faturojnë Presidencës dhe Këshillit Prokurorial, për të cilët tonë se shpesh herë kanë “luajtur pingpong”, ndërsa kritikën për kryeministrin Albin Kurti e kanë për tentimin për uljen e pagave për gjyqtarë e prokurorë.
Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë për Ekonomia Online se sulmet ndaj sistemit të drejtësisë ishin të shpeshta gjatë vitit 2023 dhe se kjo e dëmton demokracinë në vend.
Ndonëse përmend faktin se sistemet janë të ndara në Kosovë, kjo sipas Bajraktari nuk po merret parasysh nga politika. Institucionet sipas tij, duhet t’i kryejnë obligimet që i takojnë me qëllim të përmbushjes së misionit që ka sistemi ligjor.
“Sulmet dhe presioni i eksponentëve politik në adresë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, fatkeqësisht ka vazhduar edhe përgjatë vitit 2023 edhe në bindjen time këto nuk do të duhej të ndodhin për faktin se sistemi ynë gjyqësor dhe ai prokurorial është i pavarur në vështrimin e përgjithësive dhe kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore, këtë e kanë thënë edhe organizata e ndryshme vendore e ndërkombëtare se sulmet etiketimet e madje edhe përmendja e emrave të përveçëm të gjyqtarëve e prokurorëve natyrisht që është sulm e presion i drejtpërdrejtë ndaj organeve ligjzbatuese andaj eksponentët politik kushdo qofshin ata duhet të ndalen në drejtim të sulmeve, të bëjnë përpjekje maksimale në drejtim të plotësimit të kritereve, kushteve dhe kërkesa krahas ligjeve edhe shtim të mjeteve buxhetore me qëllim të përmbushjes së misionit dhe detyrave e përgjegjësive që ka sistemi ligjor dhe ai prokurorial”, ka thënë Bajraktari.
Duke folur për dështimin për ta emëruar Kryeprokurorin e Shtetit, Bajraktari ka thënë se institucionet përgjegjëse kanë luajtur “pingpong”. Ai kërkon reflektim në këtë drejtim dhe se gjetjet që i ka bërë Presidenca e organizatat partnere të merren parasysh.
“Në bazë të miratimit të Kodit Civil si dhe fakti që njëra prej pozitave kyçe si pozita e Kryeprokurorit të Shtetit me bindjen tim janë një prej dështimeve të vitit të 2023. Po flasim për një dokument i cili përveç së është më i rëndësishmi pas Kushtetutës, Kodi Civil të cilin Kosova akoma nuk e ka, vlerësoj që deputet e do duhej ta miratonin këtë dokument, pasi është jeta e qytetarit dhe pasi 1 600 nene janë të ndara në libra si është pjesa e përgjithshme, pjesa familjare, aspektet pronësore si dhe aspektet tjera. Edhe për pozitën e kryeprokurorit, ku kemi parë një lloj ‘pingpongu’ mes Këshillit Prokurorial dhe institucioneve të Presidencës por unë vlerësoj që të dy palët duhet të reflektojnë mbi drejtimin e identifikimit fillimisht e pastaj edhe adresimit të gjetjeve që i kanë bërë jo vetëm zyrat e presidentes por edhe organizatat e partnerët tjerë”, u shpreh Bajraktari.
Ndërsa avokati tjetër, Burim Halili, e sheh si hendek të thellë mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Halili për Ekonomia Online ka përmendur edhe Ligjin e Pagave si tendencë për të ndërhyrë në punën e gjyqësorit.
“Për gjatë vitit 2023 ndërhyrja politikës në sistemin e drejtësisë ka qenë aktive në shumë raste fillimisht ka kriju një hendek të thellë nga mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja fillimisht, mandej ndërhyrja edhe e kryeministrit te pagat e gjyqtarëve e prokuroreve, përulja e pagës edhe ajo ka ndikuar negativisht. Fatmirësisht Gjykata Kushtetuese nuk e ka aprovua një kërkesë e kryeministrit dhe ka vendosur që pagat nuk do të ndikojnë në përformancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh Halili.
Halili ka pasur kritika për mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, për të cilin thotë se nuk është dashur të vonojë. Ai përmend faktin se pushtet janë të ndara dhe se ndërhyrjet janë të palejueshme.
“Fillimisht në vitin 2024 presim që ta kuptojnë që pushtet janë të ndara legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pushtet në sistemin gjyqësor nuk duhet të kenë ndërhyrje direkte as nga zyra e Kryeministrit as nga Presidentja. Në momentin që ka një propozim prej Këshillit Prokurorial për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit përderisa e kaluara e tij është e pastër dhe nuk ka arsyeje në të kaluarën e tyre ose të saj, Presidentja duhet ta bëjë emërimin e tij. Mandej gjatë vitit 2023 kemi pasur ndërhyrje të njëpasnjëshme”, u shpreh tutje Halili.