Përgatiti: Benita Zeneli
Monitoruesit e sistemit të drejtësisë e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka anuluar tërësisht vendimin e Qeverisë Kurti, sipas të cilit, pagat e gjyqtarëve e prokurorëve uleshin.
“Bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ref. AGJ 1584 /2020, i cili ka përcaktuar se zvogëlimi i buxhetit nga pushteti ekzekutiv, është një shembull se burimet e gjyqësorit mund të vihen në presion të tepruar dhe të padëshiruar. Nuk ekziston një rregull që krijon garanci absolute se pagat në sektorin publik nuk mund të zvogëlohen, por se ulja e pagave duhet të jetë e arsyetuar dhe asnjëherë arbitrare, andaj ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar financiare”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Këtë vendim Qeveria e kishte marrë më 23 nëntor 2022. E, në vazhdën e reagimeve që ngjalli vendimi, Shoqata e Prokurorëve vendosi ta paditë Qeverinë. Tani nga kjo shoqatë shpresojnë që njësoj si Gjykata Themelore do të veprojnë edhe gjykatat e shkallëve më të larta.
“Shoqata e Prokurorëve e ka pritur mirë vendimin e Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore, duke besuar se edhe në shkallët e tjera vendimet do të kenë epilog si ky”, thuhet në reagimin nga Shoqata e Prokurorëve.
Edhe pse pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdojnë të mbeten të njëjta bazuar në vendimin paraprak, atë të Qeverisë Haradinaj nga viti 2017, me ç’rast, bashkë me rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë, u rritën edhe të gjyqtarëve e të prokurorëve, megjithatë situata pritet të ndryshojë pas miratimit të Ligjit për Pagat në muajin shkurt. Por edhe ky ligj po shqyrtohet në Kushtetuese, i cili, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se është anti-kushtetues.
Megjithatë, prokurorët e gjyqtarët në vitin e parë të fillimit të zbatimit të Ligjit për Paga, nuk i marrin me ulje. Vetëm në vitin e dytë të fillimit të zbatimit të tij do t’i marrin me 50% të shtesës tranzitore.