PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Një javë pasi ATV-ja raportoi ekskluzivisht, Qeveria nisi procesin e testimeve të stabilitetit të urës kryesore mbi Ibër, ndërmjet jugut dhe veriut të Mitrovicës, në kuadër të përgatitjeve për hapjen e saj për qarkullim edhe për automjete.
Fillimisht, operatorët e përzgjedhur kryen matje e morën shënime.
Për kryerjen e testimeve që do të përcaktojnë kapacitetin mbajtës të strukturës së urës, me ngarkesë testuese, ditë më parë Ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë për shërbime në vlerë 9 640 euro.
Megjithatë, nuk dihet se kur e si do të bëhet testimi me ngarkesë.
Pos zëvendësministrit të Infrastrukturës, HysenDurmishi, procesin në terren e përcollën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Në një deklarim të shkurtër, Sveçla tha se “nuk ka asnjë arsye që ura të mos hapet dhe kjo do të ndodhë kur ekspertët të vlerësojnë diçka të tillë.”
Ndërkaq, javën e kaluar ambasadorët e QUINT-it, të prirë nga Jeffrey Hovenier i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, thanë se në këtë moment nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit të urës.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, kërkoi që hapja eventuale të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut.
Megjithatë, nëpërmjet një kumtese, duke iu referuar marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, Qeveria e ka bërë të qartë synimin për hapjen e urës./atvlive.tv
Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:






