Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që u mbajtën në një kontekst të ndjeshëm politik dhe institucional, janë analizuar në detaje nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian. Në raportin përfundimtar, që u prezantua sot në një konferencë për media në Prishtinë, u theksua se procesi ka pasur sfida të shumta – përfshirë përpjekjet për ndërhyrje nga jashtë.
Anëtarja e Parlamentit Evropian, Natalie Loiseau, e cila udhëhoqi misionin e vëzhgimit, tha se janë vërejtur tendenca për të ndikuar në votim nga shteti i Serbisë, çka sipas saj është e papranueshme mes vendeve fqinje.
“Sa i përket ndërhyrjeve nga jashtë, i kam cekur ato në përgjithësi. Jemi dëshmitarë të tendencave nga jashtë për të ndikuar në votimin e tyre dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte mes fqinjëve. Transmetimi publik, radio dhe televizioni, si dhe programet për komunitetet joshumicë, do të përmirësohen në mënyrë që votuesit nga të gjitha komunitetet në Kosovë të kenë qasje më të mirë në informacionin përkatës rreth zgjedhjeve,” tha Loiseau.
Ajo nënvizoi se raporti përmban një vlerësim të detajuar dhe 19 rekomandime për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen.
“Është kënaqësi të rikthehem në Prishtinë dhe të paraqes para jush raportin përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Që nga ardhja ime para dy ditësh, jam takuar me presidenten e Kosovës, kryeministrin në detyrë dhe kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’ua dorëzuar raportin dhe për të diskutuar rekomandimet që përmban ai,” theksoi ajo.
Loiseau falënderoi qytetarët e Kosovës për përkushtimin e treguar ndaj procesit demokratik, si dhe institucionet zgjedhore për bashkëpunimin dhe mikpritjen.
“Puna jonë në Kosovë ka filluar në fillim të janarit dhe vazhdoi gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ne kemi vendosur 104 vëzhgues nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, së bashku me Kanadanë, Norvegjinë dhe Zvicrën. Një delegacion nga Parlamenti Evropian gjithashtu iu bashkua misionit,” tha më tej Loiseau.