Mirlind Daku ishte protagonisti kryesor në fitoren 2-1 të Rubin Kazanit ndaj Akron Tolyattit në javën e dytë të Ligës Premier të Rusisë, por skenat pas ndeshjes morën edhe më shumë vëmendje sesa goli i tij.
Sulmuesi shqiptar realizoi golin e fitores për Rubin Kazanin, ndërsa pas vërshëllimës përfundimtare u përqafua nga bashkëlojtarët, të cilët e ngritën në krahë dhe e hodhën disa herë në ajër, në një moment mjaft emocional.
Vetë Daku nuk arriti t’i përmbante emocionet dhe u pa me lot në sy. Sipas raportimeve, reagimi i tij lidhet me largimin e mundshëm nga Rubin Kazani gjatë këtij afati kalimtar.
Së fundmi është raportuar se Spartaku i Moskës ka aktivizuar klauzolën e lirimit të sulmuesit shqiptar, duke e afruar ndjeshëm transferimin e tij. Klubi rus thuhet se është i gatshëm të paguajë 11 milionë euro, shumë e paraparë në kontratën e Dakut.
Pas ndeshjes, trajneri i Rubin Kazanit, Javi Artiga, u pyet nëse kjo ishte ndeshja e fundit e Dakut me fanellën e skuadrës.
“Nuk e di, do ta shohim. Unë jam trajneri dhe të gjitha lajmet na kanë gjetur këtu në Samara”, tha fillimisht Artiga për “Match TV”.
Më pas ai nuk i kurseu fjalët e mëdha për sulmuesin shqiptar.
“Në çdo rast, i urojmë Mirlindit shumë fat dhe e falënderojmë për gjithçka. Përveçse është një futbollist i shkëlqyer, Mirlindi është edhe një njeri i jashtëzakonshëm që gjithmonë jep gjithçka për skuadrën. Ju kujtohet sezoni kur Rubini u rikthye nga Liga e Parë dhe, në masë të madhe falë Dakut, arriti një tjetër nivel”, u shpreh trajneri.
Ndërkohë, sipas raportimeve, Daku pritet të nënshkruajë një kontratë shumëvjeçare me Spartakun e Moskës, ku do të përfitojë rreth 3.3 milionë euro në sezon, pagë që do ta rendiste ndër tre futbollistët më të paguar në kampionatin rus.





