17.6 C
Pristina
Monday, March 10, 2025
Banner

MINT refuzon ankesën e Klan Kosovës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) njofton se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”, duke konstatuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovës (ARBK), në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin, kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovëm.

Aty thuhet se vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Komunikata e plotë:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”. Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?

Me këtë rast, rikujtojmë se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, më 22 qershor, e ka anuluar vendimin me të cilin një ditë më parë, ishte shfuqizuar pezullimi për certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.

Në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit. Në vendim shkruan se Prestreshi e ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosovën.

Ndryshe, më 14 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.

Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 16 qershor 2023, ka njoftuar se zyra ligjore e KPM-së, ka dhënë një rekomandim me dy dispozita, lidhur çështjen e pezullimit të certifikatës së licencës së Klan Kosovës. Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, tha se Klan Kosova, në afat prej 30 ditësh duhet të bëjë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konfrom rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale.

Kurse, më 16 qershor 2023, Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN): Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE), kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

Sipas organizatave anëtare të HRN-së, vendimi i MINT është shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe medias, si dhe ngjan në një përpjekje për të kontrolluar mediat dhe kufizuar lirinë e fjalës.

Më 19 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dhënë sqarime shtesë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke thënë se përpjekja që një çështje biznesi, të përshkruhet si sulm ndaj lirisë së shtypit, është e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme. /BetimipërDrejtësi

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA