16.6 C
Pristina
E hënë, 16 Shtator, 2024

Ministrja gjermane Baerbock e quan tinëzar sulmin në Banjskë

Përgatiti: Arton Hamiti

Së pari masa ndëshkuese për Serbinë e pastaj dialog, është shprehur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla pas Samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë.

Por, për një homologe të Gërvallës, “çelësi i zgjidhjes së konfliktit” mes Kosovës dhe Serbisë është në duart e Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç paqes në rajon.

“Provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencave të trupave në kufirin me Kosovën, e kanë nxehur edhe më tej situatën, që edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi, dhe kjo ndodhi pas një sulmi tinëzar kundër policisë kosovare, prej një bande terroriste të armatosur gjer në dhëmbë. Presim prej Qeverisë serbe që t’i çojë përpara proceset hetimore të ngjarjeve të 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave, ashtu sikurse edhe rrethanat e ngjarjes së majit kundrejt ushtarëve të KFOR-it”, tha Baerbock.

Teksa kërkoi nga Serbia nisjen e hetimit serioz për grupin terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, shtroi se formati i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ngrihet në nivelin e një konference me planin francezo-gjerman, si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve.

“Palët duhet të punojnë me guxim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, e cila do të mundësojë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar gjithmonë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Hasani.

Palëve u bëri thirrje për dialog edhe komisionari i BE-së, Oliver Varhelyi.

Ndryshe, ky samit i Ministrave të Jashtëm u mbajt në prag të samitit të radhës, në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daqiq, refuzoi të fotografohet krahë homologëve të tij, për shkak të prezencës së flamurit të Republikës së Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA