Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë dhe UNICEF-in nënshkruan sot në Tiranë “Deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë dhe veprimet për klimën.”
Ky është angazhimi i parë në llojin e tij për të përshpejtuar politikat dhe veprimet klimatike gjithëpërfshirëse, të përqendruara te fëmijët dhe të rinjtë në nivel kombëtar.
Kjo deklaratë nënshkruhet në një moment të rëndësishëm, kur delegacione nga e gjithë bota do të marrin pjesë në Konferencën e 28-të të Palëve, e njohur edhe si COP28, për të diskutuar dhe për të ndërmarrë masa për ndryshimet klimatike.
Një nga qëllimet e Deklaratës është të zgjerojë pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike përmes një edukimi më të zgjeruar rreth ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, si dhe përvetësimit të njohurive dhe aftësive të nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme.
Mesazhet kryesore të të rinjve nga e gjithë bota që do të jenë pjesë e delegacioneve do të jenë: mbrojtja e jetës, shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve; fuqizimi i çdo fëmije gjatë gjithë jetës së tij me mundësi zhvillimi, me arsimimin dhe aftësi për të qenë përkrahës i mjedisit; zvogëlimi i emetimeve dhe përmbushja e marrëveshjeve ambicioze ndërkombëtare për qëndrueshmërinë dhe ndryshimet klimatike.
Dy të rinj nga Delegatët e OKB-së për të Rinjtë do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar në COP28.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se UNICEF është një ndër partnerët më të rëndësishëm mbi edukimin e fëmijëve në mënyrë përfshirëse.
“Sfida është që këtë deklaratë ta përkthejmë në veprimet konkrete të përditshme dhe mesazhet e saj të përthithen nga fëmijët. Jam e bindur se do të kemi një rrugë të bukur, ama tepër sfiduese, që çështjet e klimës dhe natyrës të dëgjohen prej të rinjve e pastaj t’i kthejmë në prioritet për ta. Shqipëria natyrisht që nuk ndikon në ndryshimet globale të klimës, nuk ndot globalisht, por është shumë e rrezikuar prej pasojave që po i ndjejmë çdo vit e më tepër”, u shpreh ajo.
Përfaqësuesi i UNICEF-it, Roberto De Bernard shprehu kënaqësinë të shohë përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve, në veprimet klimatike.
“Vlerësoj ambicien e shtuar të qeverisë shqiptare mbi angazhimi për të nënshkruar Deklaratën e fëmijëve, të rinjve dhe veprimet për klimën,” tha ai.
Ndryshimet klimatike kërcënojnë mbijetesën, zhvillimin, ushqyerjen, arsimimin dhe aksesin e fëmijëve në kujdesin shëndetësor – të gjitha këto janë të drejta të fëmijëve dhe të përcaktuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.
Sipas Indeksit të UNICEF-it mbi risqet e klimës ndaj fëmijëve afërsisht 1 miliard fëmijë (gati gjysma e fëmijëve në botë) jetojnë në vende me rrezik jashtëzakonisht të lartë. Dhe nga ky risk nuk përjashtohen as fëmijët që jetojnë në Shqipëri.
Raporti i Progresit i BE-së i vitit 2023 tregon se Shqipëria ka një nivel përgatitjeje për të trajtuar ndryshimet klimatike, megjithatë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka në fokus një numër të lartë nismash që do të përkthehen në projekte konkrete veprimi për ndryshimet klimatike.