Me pikëllim të thellë, Ministria e Sportit dhe Rinisë ka reaguar pas lajmit për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elif Sherifit, gazetare dhe zëdhënëse e KF Drita.
Në telegramin e ngushëllimit, ministri Blerim Gashani ka theksuar se Elifi do të mbahet mend për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin e saj të veçantë për gazetarinë dhe sportin. Ai vlerëson kontributin e saj të çmuar në promovimin e vlerave sportive dhe komunikimit publik, si dhe dashurinë e saj për futbollin dhe komunitetin, të cilat do të mbeten pjesë e kujtesës së përbashkët të të gjithë atyre që e njohën.
“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sherifi, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me Elifin. Kujtimi për të do të jetojë gjithmonë. U prehtë në paqe,” shkruhet në telegram.
Ky reagim i Ministrisë pasqyron humbjen e madhe të një profesionisteje të respektuar dhe angazhimin e saj të palodhur në fushën e sportit dhe gazetarisë.






