Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati listën e dytë me çmime të barnave

PËRGATITI: DRITON SADIKU 

Pas anulimit të listës së parë për çmimet e barnave, Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati të dytën.

Por nuk dihet nëse do të jetë e fundit, e barnat do të shiten me çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret, meqë fillimisht do të shikohet nëse ka ankesa edhe rreth kësaj liste.

“Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në zbatim të Vendimit të Komisionit të ankesave për çmimin e produkteve medicinale, ka përcaktuar çmimet e produkteve medicinale, të regjistruara nga Bartësit e Autorizim-Marketingut, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Lista preliminare është publikuar dhe pasi që është listë preliminare, si e tillë nuk ka fuqi obligative. Gjithashtu, ju informojmë se lista hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave të ankimimit”, u përgjigjën për ATV-në nga Ministria e Shëndetësisë.

Lista e parë, megjithëse e përgatitur rreth 10 muaj pas miratimit të ligjit, ishte anuluar pasi ishte vërejtur rritje e çmimeve për produktet medicinale. Nga Oda e Farmacistëve janë optimistë se janë rregulluar mangësitë.

“Në listën e parë që është anuluar, ka pasur një rritje në një pjesë të konsiderueshme të barnave, mirëpo te kjo lista e dytë, besoj që është një listë që ka ulje të çmimeve, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt te pacientët, pastaj edhe unifikim për të gjitha barnatoret e licencuara dhe më e mira e mundshme, kthimi i profesionalizmit të farmacistit, duke e ditur që do të kthehet ajo pjesa e konkurrencës profesionale e jo siç është tash”, tha zv.drejtori i Odës së Farmacistëve, Astrit Haxhijaha.

Për një ish-ministër që udhëhoqi shëndetësinë, rekomandimet e para nuk u morën fare parasysh, andaj pohon se po favorizohen grupet e interesit, e po dëmtohen qytetarët.

“Ky proces është prolonguar përtej parashikimeve ligjore dhe po shpërfaq interesat e grupeve të caktuara apo individëve, të cilët e kanë mbajtur peng sektorin e shëndetësisë dhe përgjegjësia është mbi atë politike, që nënkupton e ministrit dhe e Qeverisë, sepse janë duke përkrahur interesat e asaj që quhet mafia farmaceutike dhe ky proces duket që është i dështuar në këtë fazë. Edhe lista e re në informacionet paraprake pothuajse i ka vërejtjet e njëjta që nuk janë marrë parasysh”, deklaroi ish-ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj.

Andaj Zemaj thotë nuk ka gjasë që tani për tani të rregullohet tregu farmaceutik.

E për aq kohë sa ligji të mos zbatohet plotësisht, qytetarët do të blejnë barna të njëjta me çmime të ndryshme që vendosen vetë nga farmacitë./atvlive.tv/

Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA