Përgatiti: Nora Luta
Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij gjyqësor janë tërhequr nga punëtoria triditore që Ministria e Drejtësisë e kishte organizuar për finalizimin e legjislacionit në kuadër të reformës.
KPK-ja e KGJK-ja qasjen e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë e kanë quajtur tendencioze dhe jokorrekte.
Mospajtimet mes dikasterit të drejtësisë dhe këshillave kësaj radhe lindën rreth disa propozimeve. KGJK-ja e KPK-ja kanë propozuar që të fillohet draftimi i Ligjit për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por me këtë nuk është pajtuar MD-ja.
Gjithashtu, këshillat nuk janë pajtuar me propozimin e Ministrisë që të ketë ligj të veçantë për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që kjo të përfshihet në kuadër të Ligjit për KGJK-në dhe KPK-në.
“Ministria e Drejtësisë nuk i ka sjellë konkluzionet e punëtorisë së kaluar, s’i kanë marrë parasysh rekomandimet e sistemit prokurorial, ashtu siç janë marrë vesh në punëtoritë e mbajtura më parë. Ata kërkuan të diskutohet një draft i Ligjit në të cilin kishte rekomandime të MD-së, të cilat nuk ishin diskutuar më parë dhe nuk ishin as pjesë e raportit përmbledhës të grupit punues”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Megjithatë, ministrja Albulena Haxhiu thotë se integriteti i gjyqtarëve e prokurorëve do të rregullohet me ligj. Sipas saj, largimi nga punëtoria është përpjekje për të penguar reformën.
Pjesë e rekomandimeve në punëtorinë që rrjedh nga Deklarata e përbashkët e Zotimeve për reformën në drejtësi, ishte edhe rekomandimi nga këshillat që të mos iu njihet e drejta për të iniciuar zyrtarisht procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve dhe të mos konsiderohen valide ankesat disiplinore anonime.
Por, as kjo nuk është pranuar nga MD-ja, e cila ka propozuar të kundërtën.