Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar të gjithë fermerët dhe subjektet e interesuara se me vendim të ministrit, Armend Muja është zgjatur afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026 edhe për 10 ditë, me qëllim që të gjithë fermerët të kenë mundësi të përfundojnë aplikimet e tyre.
Afati i aplikimit është zgjatur deri me datën 31 korrik 2026, ora 16:00. Aplikimet, siç njofton ministria, vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.
Programi i Pagesave Direkte 2026 është ridizajnuar në përputhje me harmonizimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes:
Pagesa Bazë për të Ardhura sipas Sipërfaqes, për kulturat bujqësore të pranueshme;
Pagesat Rishpërndarëse, për hektarët e parë të fermës dhe fermerët e rinj;
Pagesat e Lidhura me Prodhimin dhe Cilësinë, për sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë;
Eko-Skemat, për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.





