Milani po shqyrton mundësinë e transferimit të kapitenit të Liverpoolit, Virgil van Dijk, në një lëvizje që do të ishte ndër më të bujshmet e kësaj merkatoje.
Sipas TuttoMercatoWeb, ideja për afrimin e mbrojtësit holandez është mbështetur nga Zlatan Ibrahimoviç, i cili e sheh Van Dijkun si liderin ideal për të forcuar repartin defensiv të kuqezinjve. Megjithatë, operacioni konsiderohet shumë i vështirë, edhe pse jo i pamundur.
Drejtuesit e Milanit janë në kërkim të një mbrojtësi me përvojë, autoritet dhe mentalitet fitues, cilësi që Van Dijk i ka dëshmuar prej vitesh si te Liverpooli ashtu edhe te kombëtarja e Holandës.
Pengesa më e madhe për realizimin e kësaj marrëveshjeje mbetet paga e lartë e 35-vjeçarit. Mbrojtësi përfiton rreth 15 milionë euro në sezon, një shifër që tejkalon ndjeshëm strukturën aktuale të pagave te Milani.
Për këtë arsye, klubi italian do të duhet të gjejë një formulë të veçantë për ta bërë të mundur transferimin, qoftë përmes një kontrate të strukturuar ndryshe, uljes së pagës apo bonuseve të lidhura me performancën.
Ndërkohë, raportimet bëjnë të ditur se Liverpooli është i gatshëm të dëgjojë oferta për mbrojtësin holandez, ndërsa çdo negociatë do të varet kryesisht nga mënyra se si do të zgjidhet çështja e pagës së tij.
Nëse transferimi realizohet, ardhja e Virgil van Dijk te Milani do të përbënte një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore, edhe pse për momentin mbetet një objektiv ambicioz për klubin italian.





