Michelle Obama ka zbuluar një rregull të veçantë që ajo dhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ndjekin për të ruajtur shkëndijën në martesën e tyre: në ditët kur kanë planifikuar ndonjë takim romantik, ata nuk flasin fare gjatë ditës.
“I kemi 32, 33 vjet martesë… gjithmonë harroj saktësisht. Më fal, i dashur”, ka thënë Michelle me humor për revistën “People”. “Kur kemi takime romantike, zakonisht qëndrojmë në shtëpi. Nuk vishemi shumë. Thjesht hamë një darkë të mirë, ndezim qirinj, lëshojmë muzikë dhe bisedojmë. Por gjatë ditës nuk flasim, sepse jemi bashkë gjithë kohës në shtëpi”, ka treguar ajo.
Sipas saj, kjo “heshtje e qëllimshme” ndihmon që bisedat të jenë më interesante dhe më intime gjatë darkës.
“Ne të dy punojmë nga shtëpia, kështu që kur duam një mbrëmje të veçantë, themi diçka të tillë si: ‘Mos më fol tani. Ruaje për darkë’. Ai më pyet: ‘A fole me vajzat?’ dhe unë i them ‘Po, por s’do flasim për këtë derisa të vijë darka jonë’”, ka shtuar ish-zonja e parë e SHBA-së.
Michelle ka pranuar me të qeshur se ndonëse ndonjëherë dalin për darkë jashtë, kufizohen për shkak të lodhjes.
“Ndonjëherë dalim për darkë në Uashington apo diku tjetër, por jam shumë e lodhur për darkë dhe film bashkë. Do të më zërë gjumi në kinema, kështu që themi: ‘Zgjidh njërën nga këto dyja’”, ka shpjeguar ajo.
Në moshën 61-vjeçare, ajo thotë se ndihet më “e gjallë dhe energjike se kurrë”, por pranon se nuk i reziston tundimit për të ngjyrosur flokët e thinjura.
“Nuk më shqetësojnë flokët e thinjur, por po, i ngjyros! Edhe nëna ime ishte e tillë, ajo i ngjyrosi flokët deri në ditën që vdiq. Nuk bëj shumë gjëra të tjera, për fat të mirë, lëkura ime më ndihmon, siç themi ne, ‘black don’t crack’ (lëkura e zezë nuk rrudhet)”, ka thënë Michelle.
Ajo ka theksuar se kujdesi për shëndetin ka qenë gjithmonë prioritet për të.
“Shëndeti ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm — çfarë ha, stërvitja, vizitat te mjeku — të gjitha këto më ndihmojnë të shijoj këtë periudhë të jetës. Ndihem më energjike se kurrë më parë. Vajzat e mia janë të rritura, të shëndetshme e të lumtura. Burri im është mirë. Gjithçka është në vendin e vet”, ka thënë ajo.
Michelle ka publikuar së fundmi librin “The Look”, të shkruar bashkë me stilisten e saj Meredith Koop, ku tregon historinë pas zgjedhjeve të saj të gardërobës gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë.
“Tani jemi ish-presidenti dhe ish-zonja e parë, dhe ndjej se për herë të parë në jetën time, kur them apo bëj diçka, qoftë në këtë intervistë apo në këtë libër, janë plotësisht zgjedhjet e mia. Kjo ndjesi është çliruese”, ka përfunduar ajo.







