Lionel Messi ka lënë pas periudhën pa gola pas Kupës së Botës 2026, duke u rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme. Ylli argjentinas realizoi dy herë për Inter Miamin dhe njëkohësisht vendosi një rekord të ri në Kupën e Ligës.
Pas paraqitjes si zëvendësues ndaj Columbus Crew, ku nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, 39-vjeçari u rikthye në formacionin titullar dhe dha menjëherë përgjigjen në fushë. Dy golat e shënuar i dhanë fund pritjes së tij pas Botërorit dhe e ngjitën në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e këtij kompeticioni.
Me këto realizime, Messi numëron tashmë 14 gola në vetëm 12 ndeshje të Kupës së Ligës, duke lënë pas sulmuesin e Los Angeles FC, Denis Bouanga, dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë turne.
Përveç dy golave, kapiteni i Inter Miamit kontribuoi edhe me një asist, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e tij vendimtar në lojën e skuadrës amerikane.
Inter Miami fitoi me rezultat 4-2 ndaj Atletico San Luis, në një sfidë që u ndërpre për rreth 30 minuta për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Rikthimi i Messit në formën e tij më të mirë vjen vetëm pak javë pasi ai udhëhoqi Argjentinën në finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës, ku “Albiceleste” u mposht minimalisht nga Spanja. Tashmë, kapiteni argjentinas duket se e ka kthyer vëmendjen te objektivat me Inter Miamin, duke nisur menjëherë të thyejë rekorde të reja.





