Inter Miami ka qetësuar tifozët dhe gjithë opinionin sportiv lidhur me gjendjen e Lionel Messit, pasi ylli argjentinas pësoi një shqetësim fizik në sfidën spektakolare ndaj Philadelphia Union.
Messi ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren dramatike 6-4 të skuadrës amerikane, duke kontribuar me dy asistime, por shqetësimi për një dëmtim ngriti menjëherë dyshime mbi gatishmërinë e tij për ndeshjet e ardhshme me Argjentinën.
Megjithatë, lajmet që vijnë nga SHBA janë pozitive. Sipas raportimeve të fundit, problemi fizik i 38-vjeçarit nuk konsiderohet serioz dhe ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm për angazhimet me kombëtaren argjentinase në Kupën e Botës 2026.
Përmes një deklarate zyrtare, Inter Miami dha detaje mbi gjendjen e kampionit të botës.
“Pas ekzaminimeve shtesë mjekësore të kryera të hënën, diagnoza fillestare ka konfirmuar një mbingarkesë të shkaktuar nga lodhja muskulore në kofshën e majtë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Klubi amerikan shtoi se rikthimi i Messit në stërvitje dhe ndeshje do të varet nga progresi i tij fizik gjatë ditëve në vazhdim.
Argjentina, kampione në fuqi e botës, do ta nisë rrugëtimin në Kupën e Botës 2026 më 17 qershor ndaj Algjerisë, ndërsa gjithçka tregon se Messi do të jetë i gatshëm për të udhëhequr edhe një herë “Albicelestët”.





