Shqipëria po fiton vëmendje gjithnjë e më të madhe në skenën turistike ndërkombëtare. Një nga faqet më të njohura italiane për udhëtime, “Turisti per Caso”, i ka dedikuar vendit tonë një artikull të hollësishëm, duke sugjeruar një itinerar 7-ditor për të eksploruar pasuritë e tij natyrore dhe kulturore.
Sugjerimi për ditën e parë nis me Tiranën, porta kryesore hyrëse për turistët e huaj. Vizitorëve u rekomandohen Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia Et’hem Beut, zonat kulturore të ndryshme, si dhe pjesa panoramike e Malit të Dajtit.
Ditët e dyta dhe të treta udhëtimi mund të përqendrohet te Kruja dhe Shkodra, dy qytete që pasqyrojnë historinë dhe identitetin kombëtar të Shqipërisë.
Artikulli përmend edhe qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës. Në Berat, vizitorët mund të eksplorojnë lagjet Mangalem dhe Gorica, si dhe kalaja mbi qytet, që përbëjnë një nga komplekset urbane më autentike në Ballkan. Gjirokastra, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, tërheq me arkitekturën unike prej guri dhe rrugicat me kalldrëm.
Në itinerarin turistik nuk mund të mungonte Rivijera Shqiptare, me plazhe si Ksamil, Dhërmi dhe Himarë, të njohura për ujërat e kristalta dhe peizazhet mahnitëse.
Për t’i dhënë fund udhëtimit, faqja sugjeron një ndalesë në Durrës, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i njohur për amfiteatrin romak.
Edhe media spanjolle “The Officer” ka vënë në dukje Shqipërinë si një destinacion të shkëlqyer për t’u vizituar në vitin 2026, duke nënvizuar se vizita në Rivierën Shqiptare ofron një përvojë të jashtëzakonshme për turistët.






