Kalo te përmbajtja
Të fundit

Media argjentinase i kushton reportazh Granit Xhakës: Kapiten me histori, karakter dhe shpirt luftarak

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Media argjentinase i kushton reportazh Granit Xhakës: Kapiten me histori, karakter dhe shpirt luftarak
ST GALLEN, SWITZERLAND – MAY 31: Granit Xhaka of Switzerland during the international friendly match between Switzerland and Jordan at Kybunpark on May 31, 2026 in St Gallen, Switzerland. (Photo by Sona Maleterova/Getty Images)

Në prag të çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Zvicrës dhe Argjentinës, mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një reportazh të gjatë kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, duke e cilësuar atë si liderin e padiskutueshëm të kombëtares helvetike dhe një futbollist, historia e të cilit shkon përtej fushës së blertë.

Në artikullin me titull “Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës që do të përballet me Argjentinën: historia e mërgimit, karakterit dhe një rivaliteti të nxehtë me Serbinë”, mediumi ndalet te rrënjët shqiptare të mesfushorit, historia e familjes së tij dhe rrugëtimi që e shndërroi në një nga futbollistët më të rëndësishëm të Evropës.

“Pas shiritit të kapitenit të Zvicrës fshihet një histori që përfshin mërgimin, përndjekjen politike, identitetin dhe karakterin e fortë. Xhaka nuk është vetëm një lider në fushë, por edhe simbol i një familjeje që u detyrua të largohej nga vendlindja”, shkruan Canal26.

Artikulli rikujton se babai i Granitit, Ragip Xhaka, kaloi disa vite në burg në ish-Jugosllavi për shkak të aktivitetit të tij politik në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Më pas, familja emigroi në Zvicër, ku lindi dhe u rrit Graniti. Sipas mediumit argjentinas, kjo histori ka ndikuar në formimin e karakterit të tij luftarak dhe mentalitetit fitues.

Canal26 ndalet edhe te rivaliteti i Xhakës me Serbinë, duke kujtuar ndeshjen e Botërorit 2018 dhe festimin me shqiponjën dykrenare, një moment që, sipas artikullit, e bëri mesfushorin një nga figurat më të komentuara të futbollit botëror. Gjithashtu përmendet edhe përballja mes dy kombëtareve në Botërorin 2022, ku tensionet u rikthyen sërish në qendër të vëmendjes.

Në analizën e saj, media argjentinase vlerëson edhe karrierën e Xhakës në futbollin evropian, duke përmendur sukseset me Borussia Mönchengladbach, Arsenalin dhe Bayer Leverkusen, ku është shndërruar në një nga mesfushorët më të kompletuar të kontinentit.

Në përfundim, Canal26 thekson se Argjentina nuk do të ketë përballë vetëm një skuadër të organizuar, por edhe një kapiten me histori, karakter dhe personalitet të jashtëzakonshëm.

“Kur Argjentina të zbresë në fushë për të mbrojtur titullin botëror, përballë Lionel Messit nuk do të jetë vetëm një ekip i fortë, por edhe një lider si Granit Xhaka, motori i Zvicrës dhe një nga kundërshtarët që ‘Albiceleste’ duhet ta neutralizojë”, përfundon artikulli i mediumit argjentinas.

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’