Familja mbretërore britanike ka thyer një nga traditat e saj më të forta heshtjen ndaj çështjeve të ndjeshme ndërsa rritet presioni publik dhe mediatik mbi skandalin Epstein dhe lidhjet e tij me anëtarë të Shtëpisë Mbretërore. Për herë të parë, figura të larta mbretërore kanë zgjedhur të reagojnë publikisht pas zbulimeve të reja që kanë tronditur opinionin ndërkombëtar.
Monarku i ardhshëm, Princi William, dhe bashkëshortja e tij, Princesha Catherine, janë shprehur “thellësisht të shqetësuar” nga informacionet e dalë në dritë, sipas një deklarate zyrtare të Pallatit Kensington. Reagimi vjen në një kohë kur dokumente të reja të publikuara në Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjet e financierit të dënuar Jeffrey Epstein me figura të njohura publike, përfshirë edhe anëtarë të familjes mbretërore.
Në deklaratën e tyre të parë publike mbi këtë çështje, zëdhënësi i çiftit theksoi se Princi dhe Princesha e Uellsit janë të fokusuar te viktimat e abuzimit seksual, duke shmangur çdo koment mbi individë apo detaje specifike:
“Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha kanë qenë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme. Mendimet e tyre mbeten të përqendruara te viktimat,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ky reagim shënon herën e parë që William dhe Catherine adresojnë publikisht skandalin në rritje, një temë që prej vitesh ka qenë burim polemikash dhe kritikash ndaj institucionit mbretëror për mungesë transparence.
Vëmendja mediatike është përqendruar veçanërisht te Princi Andrew, xhaxhai i Princit William, lidhjet e të cilit me Epstein kanë shkaktuar një nga krizat më të mëdha të reputacionit për familjen mbretërore në dekadat e fundit. Andrew Mountbatten-Windsor u privua nga titujt dhe privilegjet mbretërore me vendim të Mbretit në tetor të vitit të kaluar dhe aktualisht jeton larg syrit publik në Sandringham.






