Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Së bashku me babanë dhe fëmijët e tij, Antonio Cardilio, nga Italia bën një shëtitje përgjatë sheshit të kryeqytetit.
Cardilio viziton Kosovën për herë të dytë, mirëpo këtë vit ai mbeti i habitur me çmimet e larta në lokalet e gastronomisë.
“Kosova na pëlqen, vijmë shpesh këtu por nuk e di pse po e shfrytëzojnë këtë sezon për ngritje çmimesh, nuk është mirë, secilin vit po shtrenjtohen produktet më shumë”, tha Cardilio.
Nga 80 centë apo 1 euro sa ishte më parë, aktualisht një kafe kushton deri në 1 euro e 50 centë.
Ky çmim po duket marramendës për vendasit, të cilët druajnë se çmimet do të mbesin të larta edhe pas sezonit veror.
“Katastrofë bre, një kafe e ki 70 centë n’deti a këtu 1.50, janë tranu, na nuk mujmë me ia dalë, jo veç lokalet, po krejt senet i kanë shtrenjtua, po pësojmë ne këtu”, tha Ismet Gashi, qytetar.
Rritja e çmimeve nëpër lokalet e gastronomisë po arsyetohet me konkurrencë.
Ndërkaq, ekonomisti Safet Gërxhaliu, thotë se rritja e çmimeve pikërisht kur vendi po mbushet me vizitorë, nuk e vendos në pozitë të mirë Kosovën.
“E prishë imazhin, ne e dimë që nuk jemi popull shumë i pasur, mund të përfitojnë lokalet edhe me çmimet që kanë aktualisht…”, tha Gërxhaliu.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në hotele numri i vizitorëve gjatë muajit maj 2024 krahasuar me vitin paraprak, është rritur për 6.1 për qind.





