PËRGATITI: KRENARE MULLLQI
Vetëm edhe 6 ditë kanë mbetur deri në fillimin e regjistrimi të popullsisë që do të fillojë më 5 prill, pas 13 vitesh.
Për herë të parë ky proces planifikohet të zhvillohet edhe në katër komunat veriore me shumicën e banorëve serbë.
Por, pavarësisht planit të Agjencisë së Regjistrimit të Popullsisë, banorët atje po e thonë të kundërtën. Serbët që jetojnë në këto komuna thonë se pas ngjarjeve të fundit e kanë të vështirë t’i besojnë këtij procesi.
“Është mosbesim i madh ndaj pushtetit në Prishtinë, sepse masat të cilat i kanë ndërmarrë muajt e fundit në veri, kanë shkaktuar mosbesim jashtëzakonisht të madh dhe unë nuk besoj në këtë regjistrim dhe mendoj se ky është mendim i të gjithë qytetarëve në katër komunat me shumicë serbe … Do të mbetet për një kohë tjetër, me siguri deri të arrihet një marrëveshje politike, nëse fare do të ketë marrëveshje”., deklaroi qytetari Nenad Trifunoviq.
“Nuk e di akoma saktë, por nuk besoj… Për çka të dënohem, nëse nuk marr pjesë, jo jo, nuk besoj”, tha qytetari tjetër Darko Popoviq.
Për analistin nga veriu Branisllav Kërstiq, këtij procesi sipas tij do t’i përgjigjen vetëm qytetarët serbë të të cilët nuk kanë prona në Serbi.
“Shumica e serbëve janë në një gjendje letargjike dhe të një depresioni kolektiv… Jam i sigurt se tash për tash procesit do t’i përgjigjen vetëm ata të cilët nuk kanë pronë në Serbi, si dhe ata të cilët janë të gatshëm të vazhdojnë me jetuar në shtetin e Kosovës… Edhe pse e dinë që shteti do t’i dënojë ata të cilët do të refuzojnë pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, shumica nga ta nuk janë aspak të interesuar”, ka thënë analisti Branisllav Kërstiq.
Në anën tjetër nga Agjencia e Statistikave të Kosovës njoftuan se përgjatë përgatitjeve nuk ka pasur indikacione se procesi mund të dështojë në veri.
Procesi i regjistrimit të popullsisë që do të fillojë më 5 prill do të zgjasë deri më 17 maj, ndërkaq rezultatet preliminare do të shpallen pas tre muajsh, ndërsa përfundimtare deri në fund të vitit./atvlive.tv/
Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:
https://www.youtube.com/live/smjP6Bjz2c4?si=gkJLUQSoORhtxxQp