Më 26 qershor, takimi Kurti-Vuçiq “për zbatimin e Marrëveshjes Bazë”

Përgatiti: Fatlum Jashari

Për herë të parë pas sulmit terrorist paramilitar të 24 Shtatorit në Banjskë, krerët shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë pritet ta zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel.

Bashkimi Evropian konfirmoi se kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, janë ftuar për diskutime më 26 Qershor.

“Mund të konfirmoj se një takim i nivelit të lartë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, Beograd-Prishtinë, do të mbahet të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri Kurti do t’i përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të kryesohet nga lehtësuesi – Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, mbështetur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak”., tha për ATV-në zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Megjithatë, BE-ja nuk dha detaje për temat.

Paraprakisht, blloku 27-anëtarësh kishte bërë të ditur se do të organizojë takim të nivelit të lartë vetëm kur të ketë pajtim për të diskutuar çështje konkrete.

Pa dhënë shumë detaje, Qeveria konfirmoi pjesëmarrjen e kryeministrit në takimin e ftuar nga Borrell-i.

“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj dhe rrugën përpara”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Takimi Kurti-Vucic vjen pak ditë pas vizitave të emisarit Miroslav Lajcak, në Prishtinë dhe në Beograd.

Më 18 qershor, emisari evropian konfirmoi se do të bëjë një vlerësim për nivelin e konstruktivitetit të Kosovës dhe Serbisë në dialog – si parakusht që ato të përfitojnë nga Plani 6-miliardësh i Rritjes – teksa është paralajmëruar që shpërndarja e fondeve të nisë në muajin e ardhshëm.

Diskutimet Kurti – Vucic, me lehtësimin e Borrellit, do të zhvillohen një ditë para takimit të liderëve të shteteve anëtare dhe atyre institucionalë të BE-së, më 27 dhe 28 Qershor.

Paraprakisht, të hënën, do të zhvillohet takimi i ministrave të jashtëm të unionit, në të cilin është e ftuar ministrja Donika Gërvalla.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA