PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Veprim të njëanshëm, të pakoordinuar dhe kundër dialogut, e cilësoi Bashkimi Evropian mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë të cilat funksiononin ilegalisht në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Duke përmendur marrëveshjen e Brukselit për telekomunikimin, e cila parasheh diskutime të mëvonshme për shërbimet postare, blloku 27-anëtarësh përsëriti se për këtë çështje duhet zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.
Duke iu referuar si “Administrata Kurti”, zëdhënësi për punë të jashtme dhe siguri i BE-së, foli për pasojat e “padëgjueshmërisë” së Qeverisë së Kosovës.
“Kjo është kundër dialogut. Ky është një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga administrata Kurti. E dimë nga e kaluara se cilat janë rezultatet kur kjo administratë ka ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat kanë pasur ndikim negativ në popullatë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.
Kur u pyet për pasojat eventuale, në kohën kur Kosova po pret nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe përparim në aplikimin për anëtarësimin, Stano tregoi kërkesat ndaj Qeverisë.
“Në këtë fazë, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se çfarë pret nga administrata Kurti. Presim që të ri-konsiderojnë dhe ta trajtojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe që të vijnë me propozime që do të merreshin me ndikimin e mundshëm negativ të këtyre vendimeve te popullata në veri të Kosovës. Por, të gjitha çështjet që listuat, janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar, është reflektim ndaj hapave që çuan në përshkallëzim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pakoordinuara. Kjo nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, shtoi tutje Stano.
Në një reagim, teksa kërkoi që BE-ja të fokusohet te marrëveshja bazë, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, tha se, përveçse ilegal, funksionimi i zyrave Postës së Serbisë në Kosovë përbën shkelje të parimeve të fqinjësisë së mirë.
“Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteteve ilegale në vend. Kjo assesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Bislimi.
Kundër aksionit të së hënës, doli edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila tha se “veprimet e pakoordinuara vënë në rrezik të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.
Ndërkaq, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shtoi se veprimet e pakoordinuara rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE./atvlive.tv
Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:






