Gjatë javës së fundit, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka bërë të ditur se mbrojtësit e viktimave në Kosovë kanë trajtuar gjithsej 59 raste të reja, shumica e të cilave lidhen me dhunën në familje. Nga këto, 48 raste lidhen me dhunë në familje, 6 raste me tentim-vrasje, 2 raste me ngacmim seksual, 1 rast vrasjeje dhe 2 raste të shkeljes së Urdhrit Mbrojtës (UM).
Mbrojtësit e viktimave kanë ndërmarrë veprime ligjore dhe përfaqësuese për mbrojtjen e të drejtave të viktimave. Gjatë kësaj periudhe, janë parashtruar 7 kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje (KUM), 25 kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje Emergjente (KUME), 3 kërkesa për urdhër mbrojtës të përkohshëm emergjent, 2 kërkesa për ndërprerje të UM-së dhe 2 për ndryshim të UM-së.
Gjykatat kanë aprovuar 30 aktvendime, ndërsa 2 aktvendime janë tërhequr. Po ashtu, është regjistruar 1 kërkesë për kompensim nga Fondi i Viktimave dhe është përpiluar 1 parashtresë tjetër. Gjatë javës janë mbajtur 86 seanca gjyqësore dhe 12 seanca në prokurori, ndërkohë që janë ofruar 76 këshilla juridike.
Si rezultat i përfaqësimit ligjor, janë nxjerrë 12 aktgjykime dënuese dhe 2 refuzuese. Përveç kësaj, janë realizuar 2 përfaqësime në polici, 1 referim i rastit në polici, 6 referime në Qendrën për Punë Sociale dhe 1 deklaratë mbi dëmin e shkaktuar.






